Nga Genc Kondi
Inflacioni rritet ne menyre te ndjeshme, por perkunder kesaj qeveria nuk miraton vendimin per indeksimin e pagave.
TIRANE-Edhe për shumë muaj të tjerë, punonjësit e sektorit shtetëror do të punojnë me të njëjtat paga, pavarësisht nga rritja e normës së inflacionit tej normës së parashikuara nga qeveria, Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Një projektvendim qeverie, që parashikonte indeksimin e pagave të kësaj kategorie punonjësish, nuk ka marrë OK nga ana e kabinetit Berisha, në mbledhjen e qeverisë, të zhvilluar dje. Vendimi ishte propozuar nga ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe parashikonte që indeksimi i pagave për vitin 2008 të bëhej në masën 3,1 për qind. Kjo masë ishte propozuar edhe nga ekspertë të pavarur të ekonomisë, si dhe nga opozita politike ditët e fundit, në përputhje me shembujt që ndiqen në vende të ndryshme të botës në rastet kur inflacioni rritet në mënyrë të ndjeshme. Madje, ky inflacion aktualisht është në nivelin 4,6 %, kështu që indeksimi duhej të ishte edhe më i lartë. Kjo do të thotë që në një kohë kur inflacioni në rritje pakëson fuqinë blerëse të pagave, që marrin punonjësit, shteti merr pasa për të rritur automatikisht pagat nominale, duke mbajtur të palëvizur nivelin e të ardhurave të tyre. Një masë e tillë në sektorin shtetëror duhet të sjellë edhe indeksim të pagave nga privatët. Por kabineti qeveritar ka vendosur të shtyjë VKM-në, për të ndjekur ecurinë e inflacionit për gjashtë muaj të tjerë. Efekti financiar i parashikuar do të ishte i konsiderueshëm: 175 milionë lekë në muaj nga fondi i pagave i institucioneve buxhetore dhe me një total prej mbi 1 miliard lekësh të reja. Një masë e tillë duket se është kundërshtuar nga Ministria e Financave, e cila ka deklaruar zyrtarisht se politika e indeksimit të pagave do të shqyrtohet gjatë 6-mujorit të dytë të këtij viti. Po kështu, edhe Ministria e Brendshme është shprehur se politika e indeksimit të pagave duhet të shqyrtohet në të njëjtën kohë me politikat e rritjes së pagave për vitin 2008.
(d.b/GazetaShqiptare/Balkanweb)