• Paratë që depozitojnë shqiptarët në bankat e huaja, fluturojnë jashtë vendit. Sipas Bankës së Shqipërisë, vihet re tendenca e bankave të huaja që fondet e lira ti investojnë në bankat mëmë, Greqi, Itali, Austri etj.
TIRANE - Paratë që depozitojnë shqiptarët në bankat e huaja, fluturojnë jashtë vendit. Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat me afat në bankat jorezidente (filialet ose degët e bankave të huaja) janë të mëdha, dhe vihet re tendenca që kanë këto banka që fondet e lira ti investojnë në bankat mëmë, Greqi, Itali, Austri etj.
Depozitat me afat, të vendosura në institucione financiare jorezidente përfaqësojnë vendosjet kryesore në këto institucione, rreth 91 për qind në tetor’08. Ato ndiqen nga llogaritë rrjedhëse të cilat përbëjnë rreth 5.2 për qind të vendosjeve dhe huatë dhënë këtyre institucioneve me peshë 3.8 për qind. Rreth 67.5 për qind e depozitave në institucione financiare jorezidente në fund të muajit tetor, janë me afat maturimi deri në një muaj.
Individët marrin kredi gjithmonë e më pak
Kredia individuale ka qenë në rënie gjatë gjithë këtij viti. Rritja e çmimeve të artikujve jetësorë, ka bërë që shqiptarët të kenë gjithmonë e më pak guxim për të marrë kredi në banka.
Kredia më e madhe është dhënë për bizneset dhe kryesisht për degë si tregtia, riparimi i automjeteve etj. Më pak i kredituar nga bankat vazhdon të jetë sektori i bujqësisë dhe kjo për vetë problemet që vazhdojnë të ekzistojnë në këtë sektor. Pjesa dërrmuese e kredive për individët ka shkuar për ‘blerjen e pasurive të paluajtshme’ kryesisht shtëpi banimi.
Kredia e keqe në nivele të larta
Kredia e keqe vazhdon të jetë në nivele të larta për shkak të rënies ekonomike. Shumë njerëz nuk arrijnë të shlyejnë kreditë e marra ndërkohë që problemet me pronësinë vazhdojnë të jenë një problem evident me të cilat përballen bankat. Rritja e kredisë me probleme ishte dhe arsyeja që Banka e Shqipërisë dha alarmin në fillim të këtij viti. Ajo vendosi rregulla strikte për bankat, duke i detyruar ato të ndjekin rregulla të reja për kreditë e dhëna. Megjithë rregullat e reja teprica e kredisë së sistemit gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008 shënoi rritje me rreth 30.8 miliardë lekë ose me 8.9 për qind.
Tremujori i tretë i vitit 2008 shënon rritjen e portofolit të kredive me probleme të sistemit bankar me 4.3 për qind, nga rritja me 25.2 për qind në tremujorin e parë dhe 21.6 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2008. Ndërsa, treguesi që mat cilësinë e portofolit të kredive të sistemit “kredi me probleme/totali i kredive” u përmirësua, megjithëse në nivele jo të ndjeshme. Ky tregues përllogaritet në nivelin 4.1 për qind nga 4.3 për qind në tremujorin e dytë.
Krahasueshmëria e treguesit që mat cilësinë e portofolit të kredive me vendet e rajonit, tregon për një cilësi të portofolit të kredive në sistemin bankar në Shqipëri në nivele relativisht të mira krahasuar me nivelin e përgjithshëm të këtij treguesi në rajon.
Kriza financiare, bien të ardhurat e bankave
Rezultati neto i bankave gjatë tremujorit të tretë të vitit ka ardhur në rënie, si pasojë e rënies ekonomike, nga e cila nuk ka shpëtuar as Shqipëria. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se performanca e sistemit bankar e matur në vlerë absolute, nëpërmjet rezultatit neto, ka qenë më pak e mirë se një periudhë më parë, ndërkohë që treguesit e tjerë që vlerësojnë cilësisht efektivitetin e sistemit bankar, tregojnë për një performancë të krahasueshme me fundin e qershorit. “Referuar të njëjtës periudhë të një viti më parë, treguesit e efektivitetit përgjithësisht janë më të ulët si pasojë e rritjes së shpenzimeve për provigjone gjatë vitit 2008 dhe e rritjes së shpenzimeve të veprimtarisë së bankave, ndërkohë që e ardhura operative nuk ka qenë plotësisht në nivelin e duhur, për të mbuluar shpenzimet e rritura” – thuhet në deklaratën e BSH-së.
Bankat e vogla rritjen më të madhe
Gjatë tremujorit të tretë është vënë re edhe një fenomen tjetër, ku bankat e vogla kanë paraqitur rritje më të madhe se sa ato të mesme dhe të mëdha. Grupi G1 i bankave ku futen disa banka të vogla të sistemit, ka pasur një rritje të aktiveve me 12.6% ose 3.5 miliardë lekë, pasuar nga grupi G2 ku hyjnë bankat e mesme dhe G3 bankat e mëdha.
Aktivet e sistemit bankar u rritën edhe në tremujorin e tretë të vitit 2008 me rreth 50.06 miliardë lekë ose 6.2 për qind.
Bankat rrisin kapitalin aksioner
Në tremujorin e tretë të vitit 2008, kapitali aksioner i sistemit u rrit me rreth 4.5 miliardë lekë apo 6.5 për qind, duke arritur në 68.5 miliardë lekë në fund të shtatorit 2008. Këtë tremujor, të tre grupbankat kanë prezantuar rritje të kapitalit aksioner. Raporti i aktiveve mbi kapitalin aksioner të sistemit ose ndryshe leva financiare e sistemit është zvogeluar nga 13.1 në 12.5 përgjatë një viti, që do të thotë se sistemi është mbështetur më pak në borxh për financimin e aktiveve.
Treguesi i raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin ka shfaqur përgjithësisht tendencë rënëse deri në dhjetor 2007, ndërsa gjatë tremujorëve të vitit aktual ky tregues ka ardhur në rritje dhe këtë tremujor është rritur me 0.2 pikë përqindje, duke arritur mesatarisht në nivelin 17.5 për qind.
(Orjeta Zhupa/ BalkanWeb)