SuperAlb.Com - Albanian Web Solutions
  Postuar nga admin më 26 November 2008 në kategorinë Uncategorized 420 lexime

• Nënshkruhet kontrata për fillimin e punimeve në aksin Levan – Tepelenë. Segmenti është pjesë e Korridorit Veri-Jug dhe financohet nga BEI. Punimet do të zgjasin 30 muaj.

TIRANE- Nënshkruhet kontrata për fillimin e punimeve për ndërtimin e aksit Levan – Tepelenë. Projekti financohet nga BEI dhe Berzh me vlerë rreth 70 milion Euro. Në ceremoninë zyrtare që u zhvillua sot paradite ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi.

Segmenti rrugor Levan - Tepelenë është pjesë e Korridorit Veri-Jug që shtrihet nga Hani i Hotit në kufirin shqiptaro- malazes në veri deri në Kakavijë në kufirin Shqiptaro-Grek në Jug.

Seksioni Levan - Tepelenë paraqet një rrugë me gjatësi 70 Km e projektuar me dy kalime, sipas Standardeve Evropiane të Rrugëve Nacionale. Gjërësia e asfaltuar e rrugës do të jetë 10.5m (2 korsi me 3.75m dhe 2 bankina me 1.5m). Projekti me vlerë 2 milion Euro është hartuar në vitin 2004 nga kompania franceze Scetauroute.

Ky segment është ndarë në 2 lote: Loti i parë është Levan – Damës me gjatësi 37.5km me vlerë 39.1 milion Euro (me TVSH). Loti i dytë 2: Damës - Tepelenë me gjatësi 32.5 km me vlerë 28.6 milion Euro (me TVSH)

Punimet në seksionin e parë Levan – Damës do të kryhen nga firma Italiane Todino Construzioni Generali ndërsa për seksionin e dytë nga Damës në Tepelenë do të kryhen nga firma austriake Alpine Bau Gmbh.

Punimet e ndërtimit për këtë aks do të zgjasin 30 muaj dhe do të përfshijnë ndërtimin e 50 urave, 48 veprave të vogla arti dhe volume për zërat kryesore si: 3.200.000 m3 gërmime, 2.000.000 m3 mbushje, 129.000 m3 bitum për shtresat asfaltike .

Shpejtësia e parashikuar për të udhëtuar automjetet në këtë aksi rrugor varion nga 80 deri më 100 km/h.

Mbikqyrja e punimeve me financim nga Delegacioni i Komisionit Evropian me vlerën 2.6 milion Euro do të kryhet nga bashkimi i kompanive italiane Technital&Tecnic&Stretto di Messina.

Pika e fillimit (Km 0) gjëndet atje ku rruga Levan-Tepelenë bashkohet me rrugën ekzistuese Fier-Vlorë, 9.5 km në Jug-Lindje të Fierit. Për rreth 37.0 km rruga përshkron një terren kryesisht fushor përgjatë rrjedhes së Vjosës dhe bashkohet me rrugën ekzistuese Fier – Tepelenë në Damës (Fratar). Ky segment ndjek luginën e Vjosës dhe shmang plotësisht zonën e vështire kodrinore të Ballshit. Rruga arrin më pas në Tepelenë duke ndjekur pak a shume gjurmën ekzistuese me përmirësime të ndjeshme të karakteristikave gjeometrike dhe sigurisë për përdoruesit.

Domosdoshmëria e ndërtimit të këtij aksi rrugor erdhi nga rritja e ndjeshme e trafikut kohëve të fundit. Sipas studimit të trafikut të paraqitur në Studimin Rajonal të Infrastrukturës së Transportit (SRIT) për Ballkanin paraqitur në Konferencën Europiane të Ministrave të Transportit, trafiku ekzistues në këtë aks është 3500 mjete në dite. Vlerësimi i trafikut për aksin Fier-Tepelenë parashikohet që në vitin 2015 të arrijë në mbi 6000 mjete në ditë.

Përvec përfitimeve direkte në shkëmbimin tranzit të mallrave drejt qëndrave të banuara në Jug e më tej drejt Greqisë dhe anasjelltas, rruga e re do të sjellë një lidhje më të mirë me zonën dhe pjesën tjetër të vendit. Ajo do të lejojë banorët e fshatrave të vogla të disponojnë të gjitha lehtësirat për akses të shpejtë në qëndrat e zhvilluara si dhe do të gjallërojë ekonominë lokale dhe bizneset e vogla përgjatë infrastrukturës.

(s.g/Balkanweb)

Shkruaj një Koment

  Kategoritë
  Artikulli i Fundit
  Lidhjet
  Partnerë
  Arkivi
  Fjalë Kyçe
©2008 GjejProna Blog | Sistemi nga WordPress | Dizajni nga SuperAlb.Com