• Nga Genc Kondi
Lufta kundër këtij të fundit është kthyer në një “kalë beteje” propagandistik për Kryeministrin Berisha, por nga sa del prej anketimit të bizneseve mund të cilësohet si një betejë e humbur.
TIRANE-Ritmi i rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto mund të vazhdojë të jetë 5-6% në vit, por ai nuk zgjidh problemet e shqiptarëve me korrupsionin. Lufta kundër këtij të fundit është kthyer në një “kalë beteje” propagandistik për Kryeministrin Berisha, por nga sa del prej anketimit të bizneseve e qytetarëve këtë vit, mund të cilësohet si një betejë e humbur. Kjo, për faktin se nga viti 2007 e deri sot, shqiptarët kanë shprehur një rritje të ndjeshme të shqetësimit lidhur me nivelin e korrupsionit të zyrtarëve shtetërorë.
Rajoni
Shqiptarët e vendosin në vend të parë, midis tri pengesave kryesore për të bërë biznes, korrupsionin, ndryshe nga të gjitha vendet e Evropës Juglindore, thuhet në raportin e ACIT-USAID. Për kroatët e malazezët, faktori më problematik për zhvillimin e mëtejshëm të biznesit mbetet burokracia ineficente. Ndërkohë, shqetësimi më i madh për moldavët është pamundësia për financime dhe për serbët e maqedonasit, është pastabiliteti politik. Vetëm shqiptarët, në formularët e pyetësorëve të përgatitur nga Banka Botërore, sjellin korrupsionin si problemin më të madh në këtë drejtim.
Acarimi
Korrupsioni rezulton se ka qenë në vend të tretë të shqetësimeve te shqiptarëve, në anketimet e kryera nga Banka Botërore një vit më parë. Në vitin 2007, shqetësimi më i madh ka qenë infrastruktura, pasuar nga burokracia shtetërore dhe së treti, korrupsioni. Rezulton, kështu që nga viti 2007, në vitin 2008, problematika e korrupsionit është rritur gjashtë për qind, duke kaluar nga 15,4% në 21,3%.
Vetëm në Moldavi, Kroaci e Serbi, në rajonin tonë, rezulton që korrupsioni të jetë ndër tre faktorët më shqetësues e pengues të biznesit, në të tre rastet në vend të dytë të shqetësimeve.
Krimi
Kostoja që kompanitë shqiptare janë të detyruara të paguajnë për sigurinë e tyre, është dy herë më e lartë se mesatarja e rajonit, sipas sondazheve të ndërkombëtarëve, thekson raporti i ACIT-USAID-it. Po kështu, rezulton se mesatarisht ato janë të detyruara të paguajnë dy herë më shumë se simotrat e tyre ballkanike për të dhënë “dhurata” (ryshfete) për të përfituar kontrata qeveritare dhe 1,5 herë më shumë për të përballuar korrupsionin në të gjitha nivelet e punonjësve shtetërorë.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)