SuperAlb.Com - Albanian Web Solutions
  Postuar nga admin më 20 November 2008 në kategorinë Ekonomia Shqiptare 124 lexime

• Nga Genc Kondi
ISSH dhe ISKSH, bilanc negativ prej 186 milionë eurosh. Në total, investimet me fonde të Buxhetit janë arritur të realizohen vetëm 87,8 për qind. Deficiti i huaj, 11 herë më shumë se në 2007. 

TIRANE- Në total, investimet me fonde të Buxhetit janë arritur të realizohen vetëm 87,8 për qind. Kjo mësohet nga shifrat e Ministrisë së Financave, që bëjnë të ditur për një deficit në masën 8,2 miliardë lekë, ose 67 milionë euro që rezultojnë të parealizuara në këtë drejtim. Mangësia më e madhe shënohet, në këtë mes nga financimet e brendshme, ku mungojnë plot 10,2 miliardë lekë të reja, ndërkohë që qeveria është treguar dorëlëshuar me financimet nga jashtë vendit, që rezultojnë me një rritje 2 miliardë lekë të reja mbi planifikimin për 10-mujorin 2008.
Në kuadrin social, shpenzimet janë realizuar përkatësisht me një deficit 1,1 miliardë lekë për sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore, të marra së bashku. Ndërkohë që nuk janë realizuar shpenzimet për buxhetet vendore në masën 3,1 miliardë lekë të tjera. Ajo që tërheq më shumë vëmendjen është një bilanc tepër negativ, madje në përmasa të rrezikshme dhe me pasoja për të ardhmen, i të ardhurave/shpenzimeve për sigurimet shoqërore e shëndetësore. Kjo shifër në fund të tetorit qëndron në nivelin e 22 miliardë e 804 milionë lekëve të reja, çka e konvertuar, flet për një deficit gjigant prej afro 186 milionë eurosh.
Deficiti
Deficiti buxhetor rezulton më i ulët se sa ai i planifikuar. Por mbulimi i tij me fonde të brendshme është 8,6 herë më i lartë se parashikimi, ndërkohë që ai me fonde të huaja është afro 10% më i ulët. Duket se për këtë rezultat ka ndikuar së tepërmi një rritje e jashtëzakonshme e huamarrjes së brendshme (emetimi i bonove të Thesarit), që rezulton 2,6 herë mbi planifikimin. Por pavarësisht nga dukja, edhe deficiti i huaj, po të krahasohet me të njëjtën periudhë të një viti më parë (2007), është rritur në masën 1070 për qind! Ndërkohë, kredia që i është dhënë KESH-it nuk po rikthehet në arkën e shtetit.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Shkruaj një Koment

  Kategoritë
  Artikulli i Fundit
  Lidhjet
  Partnerë
  Arkivi
  Fjalë Kyçe
©2008 GjejProna Blog | Sistemi nga WordPress | Dizajni nga SuperAlb.Com