• Inflacioni në eurozonë ka pësuar sot rënien më të madhe të të gjitha kohëve, që prej hedhjes së euros në qarkullim. Rënia e inflacionit në Eurozonë pritet të reflektohet edhe në Shqipëri, përsa kohë që 80% e flukseve tregtare kryhen me eurozonën.
FRANKFURT - Inflacioni në eurozonë ka pësuar sot rënien më të madhe që prej hedhjes së euros në qarkullim, të paktën një dekadë më parë. Kjo gjë rrit edhe më shumë shanset që Banka Qendrore Europiane të ulë normën bazë të interesit të euros në takimin e javës së ardhshme.
Inflacioni vjetor në 15 vendet e eurozonës ka rënë nga niveli 3.2% në muajin Tetor, në 2.1% në muajin Nëntor, sipas të dhënave të Eurostat. Ky është niveli më i ulët që prej muajit Gusht të vitit 2007.
Eurozona është aktualisht në recesion ekonomik- papunësia është rritur me shpejtësi në të gjithë kontinentin.
Papunësia është rritur deri në nivelin 7.7% të forcës punëtore në Tetor, nga 7.6% që ishte një muaj më parë. Franca dhe Spanja kanë raportuar një rritje të madhe të papunësisë, ndërkohë që në Gjermani papunësia është në të njëjtat nivele, prej 7.1%.
Që prej muajit tetor, Banka Qendrore Europiane ka ulur dy herë normën bazë të interesit ë euros deri në nivelin aktual prej 3.25%. Por ekonomistët parashikojnë edhe një rënie tjetër në takimin e ardhshëm të BQE-së. Banka pretendon të mbajë nivelin bazë të inflacionit, nën 2% por jo më pak se 1.5%.
Inflacioni në Eurozonë pritet të bjerë edhe më shumë në vitin 2009, pas rënies që kanë pësuar çmimet e naftës, dhe ekonomistët thonë se nuk është çudi që inflacioni të bjerë edhe nën nivelin zero përqind. Ndërsa anëtarët e BQE-së shohin pak rrezik deflacioni- një rënie e përgjithshme e çmimeve që ka efekte të këqija mbi ekonominë.
Tregu vendas
Rënia e inflacionit në Eurozonë pritet të reflektohet edhe në Shqipëri, përsa kohë që 80% e flukseve tregtare kryhen me vendet e eurozonës. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në një takim të ditëve të fundit është shprehur se: “ulja e ndjeshme e çmimeve të ushqimeve dhe të lëndëve të para ka ndikuar në lehtësimin e presioneve inflacioniste në ekonomitë e eurozonës”.
Sipas Fullanit ulja e çmimeve të konsumit pritet të vazhdojë edhe në muajt pasardhës, duke bërë që fokusi i politikave monetare të zhvendoset drejt evitimit të situatave deflacioniste dhe nxitjes së rritjes ekonomike.
Në një përpjekje për të lehtësuar presionet në tregje dhe për të përshtatur më mirë kushtet monetare me tablonë e presioneve të reduktuara inflacioniste, bankat kryesore qendrore, përfshirë Rezervën Federale, Bankën Qendrore Evropiane dhe Bankën e Anglisë, ulën normën bazë të interesit në një lëvizje të koordinuar, në datën 8 tetor 2008.
Pas kësaj, këto banka ulën përsëri normat përkatëse të interesit; Rezerva Federale dhe Banka Qendrore Evropiane me nga 50 pikë bazë ndërsa Banka e Anglisë, në një lëvizje më agresive, me 150 pikë bazë.
Inflacioni në Shqipëri
Pas rritjes në gjashtëmujorin e parë të vitit përtej kufirit të tolerancës prej 4 për qind, rritja vjetore e çmimeve të konsumit në tremujorin e tretë rezultoi 3.0 për qind, duke qenë tërësisht në linjë me objektivin e stabilitetit të çmimeve të Bankës së Shqipërisë. Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie edhe në muajin tetor, duke zbritur në 2.7 për qind.
“Ulja e normës së inflacionit në këtë periudhë është nxitur nga qetësimi i goditjeve të ofertës agregate, në formën e çmimeve të larta të ushqimeve, të naftës dhe të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar.”- tha Fullani
Sipas tij, treguesit më specifikë të prirjeve inflacioniste, siç është inflacioni bazë, tregojnë se balancat makroekonomike në vend dhe kushtet monetare kanë qenë të përshtatshme për të garantuar një normë inflacioni afër objektivit të synuar nga Banka e Shqipërisë.
(Orjeta Zhupa/ BalkanWeb)