SuperAlb.Com - Albanian Web Solutions
  Postuar nga admin më 20 November 2008 në kategorinë Uncategorized 77 lexime

• Nga Genc Kondi
Mosrealizimet e Buxhetit 2008, nga korrupsioni e paaftësia. Totali i të ardhurave buxhetore i mungojnë 7.6 miliardë lekë të reja, shifër që, e konvertuar në monedhën evropiane, është 61 milionë euro. 

TIRANE- Të vetmet zëra të të ardhurave buxhetore që shënojnë rritje në periudhën kohore nga janari në fund të tetorit të këtij viti, janë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), tatimi mbi të ardhurat personale të punonjësve dhe gjobat e sekuestrot ndaj personave fizikë e juridikë. Ndërkohë, të gjithë zërat e tjerë paraqesin një “recesion” të vërtetë. Sipas shifrave, të përgatitura në bazë të vlerësimeve nga ekspertët e Ministrisë së Financave, del që të gjitha taksat e tatimet e tjera rezultojnë gjatë kësaj periudhe, me mosrealizime të ndjeshme.
Kështu, totalit të të ardhurave buxhetore i mungojnë 7.6 miliardë lekë të reja, shifër që, e konvertuar në monedhën evropiane, është 61 milionë euro. Në këtë kuadër, në zërin e ndihmave (granteve) mosrealizimi është 2 miliardë lekë, duke shënuar një shifër vetëm sa 26.5 për qind të parashikimeve. Sidoqoftë, peshën më të madhe të dështimit në grumbullimin e të ardhurave të planifikuara e mbajnë të ardhurat tatimore, që sjellin 5.2 miliardë më pak lekë në arkën e shtetit.
Administratën fiskale nuk e ka shpëtuar dot nga dështimi as grumbullimi masiv i gjobave: 12 milionë euro në dhjetë muaj, me një ritëm rritjeje 1-2 milionë çdo muaj të vitit.
TVSH-ja rezulton me një rritje 2.3 miliardë lekë tej parashikimeve, ndërsa rritje të mëtejshme shënon tatimi mbi të ardhurat personale. Realizimi i këtij të fundit është në masën 103.7%, me 653 milionë lekë më shumë se parashikimet.
Shifrat e tjera janë pak optimiste. Tatimi mbi fitimin e ndërmarrjeve shënon një deficit në masën 337 milionë lekë, taksat nacionale rezultojnë me një mosrealizim në shkallën 895 milionë lekë të reja, ndërsa taksat doganore janë realizuar në masën 93.8%, me 472 milionë lekë mangut.
Situatën fiskale nuk e ka shpëtuar dot planifikimi i lartë i akcizave. Në kuadër të reformës fiskale, Ministria e Financave ka zbatuar strategjinë e rritjes së akcizës për karburantet, kafenë, duhanin dhe alkoolin, për të zbutur uljen e të ardhurave nga taksa e sheshtë mbi të ardhurat. Por, si pasojë e korrupsionit dhe e paaftësisë në Dogana e Tatime, ky zë rezulton me një mosrealizim të ndjeshme, prej 2.6 miliardë lekësh të reja (21 milionë euro).
E paaftë duket se është treguar sërish edhe administrata vendore. Organet fiskale të bashkive e komunave kanë shënuar, në total, 83% realizim, me 2 miliardë lekë të ardhura më pak.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Shkruaj një Koment

  Kategoritë
  Artikulli i Fundit
  Lidhjet
  Partnerë
  Arkivi
  Fjalë Kyçe
©2008 GjejProna Blog | Sistemi nga WordPress | Dizajni nga SuperAlb.Com